Protesta e kamionistëve në Maqedoninë e Veriut në ditën e dytë, bllokohet Qafë Thana
Kalimtarët e mallrave nga Maqedonia e Veriut mbeten të bllokuar prej më shumë se 24 orësh.
Bllokim total i kamionëve në Qafë Thanë
Protesta e kamionistëve në Maqedoninë e Veriut ka hyrë në ditën e dytë të saj, duke sjellë bllokimin e plotë të kalimit të kamionëve në pikën kufitare të Qafë Thanës. Prej më shumë se 24 orësh, automjetet e tonazhit të rëndë nga të gjitha vendet nuk lejohen të kalojnë, çka ka krijuar radhë të gjata dhe ka paralizuar qarkullimin e mallrave në këtë aks të rëndësishëm.
Kamionistë të huaj të bllokuar në kufi
Mes kamionëve të ndaluar ndodhen edhe drejtues nga Turqia dhe Bullgaria. Berat Demir, një kamionist i nisur nga Stambolli, tregon se ka kaluar natën në kufi me shpresën se situata do të zgjidhej në mëngjes, por pa sukses, ndërsa as kthimi mbrapsht nuk është i mundur për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm dhe detyrimit për të kaluar vetëm nga kjo pikë. Ai shprehet se shokët në grevë kanë paralajmëruar se protesta mund të zgjasë deri në shtatë ditë dhe se aktualisht nuk ka asnjë alternativë tjetër rruge.
Rrezik për mallrat frigoriferike
Nexhdet Xhanpolat shprehet se situata është e pakuptimtë, pasi lejohen ilaçe me afat skadence deri në gjashtë vite, ndërsa ndalohen kamionët frigoriferikë, duke rrezikuar prishjen e mallrave ushqimore. Ai tregon se transporton domate, speca dhe patëllxhanë dhe se të paktën katër kamionë frigoriferikë janë aktualisht të bllokuar me mall brenda. Sipas tij, pritja po shkakton humbje të mëdha, ndërsa telefonatat nga pritësit e mallrave janë të vazhdueshme, pa pasur ai mundësi të japë një zgjidhje.
Kërkesat e protestuesve dhe paralajmërimi për vazhdim
Drejtuesit e protestës deklarojnë se ende nuk ka një komunikim zyrtar lidhur me kërkesën për zgjatjen e afatit nga 90 në 180 ditë dhe paralajmërojnë se nëse nuk do të ketë reagim nga Unioni i Shengenit, protesta do të vijojë pa ndërprerje, duke mbajtur të bllokuar qarkullimin në këtë pikë kufitare.